Sunday 30 June 2013

Fund!

Shikoj se si kaltërsia zbehet nga pak.
Teksa dielli largohet i lodhur në fole.
Dallgë të inatosura vërsulen me vrap.
Në këtë bregdet të trishtë, pa Ty, pa Ne.

Dikur të dashuruar me ëndërra plot jetë.
Ngritëm kështjellë premtimesh, por pa themele, në rërë.
E sërish dukej kaq e bukur, kaq e vërtetë.
Edhe pse thjeshtë nga ëndërra doli e përbërë.

Atë mëngjes dielli u përplas në një mur.
Ditë të akullta mësynë në bregdet.
Ne u larguam të ngrirë ndjenjash, të bërë gur.
U kthyem në dy shpate, me një përrua në mes.

Gjurmët u fshinë si diçka pa rëndësi.
Çdo gjë ra në heshtje, në heshtje u përhumb.
Edhe ai lot që mbase ra, nga dallgët u përpi.
Në ekranin tonë me të madhe u shfaq "FUND".


30/06/2013.

No comments:

Post a Comment