Friday, 15 January 2016

Është kaq e vështirë të duash sot.....

Nuk e di, mbase më ndodh vetëm mua të kryqëzoj mendjen dhe të kërkoj heshtjen të më përqafojë deri në palcë,  të mos dëgjoj asgjë, madje as psherëtimat më të pa kapshme për veshin. Në atë çast dua të rri me veten, si dy miq të cilët përmallshëm kanë kapërcyer kohen për t'u gjendur sërish të mbështetur dhe të përqafuar në miqësinë e njëri tjetrit...
Vetja ime është kaq e përqëndruar në ato që mendja ime i sërvir,  si në maje të gishtave dhe si për të mos guxuar të prishë qetësisë përreth.
Në këtë moment ndjej se të duash është një sfidë...dashuria duket gjëja më e pamundur e kësaj ecje....të derdhësh dashuri është sikur të pretendosh që me ujë të zbutësh hekurin, gurin, ashpërsitë, të derdhësh dashuri është si të pretendosh që përqafimi yt të ndjehet nga pema me apo pa fruta. Dashuria është një përqafim, nga ato përqafime që vetëm një person i zhveshur nga komplekset paragjykuese të syve përreth di ta dhurojë, është ai përqafim që të dhurohet nga një mik/e, nga një bashkëshort/e, koleg/e apo thjeshtë një i njohur, në sy të të gjithë botës, i cili befas të shkëput nga ata sy thumbues duke të dërguar në atë që mund ta quash me plot qenien "Jetë", në atë ndjesinë sikur drita hyri deri në qelizat e tua më të errta.
Të duash sot është gjëja më e vështirë, ja për shembull t'i thuash një njeriu që të bën të ndjehesh me fat që e ke në jeten tënde "të dua" është thuajse pamundur. Atë të dua duhet ta shoqërosh me një everest sqarime për mënyren se si e do, sepse kjo dashuria në jetën tonë të përditshme është bërë si një bashkëshorte shtëpiake që duhet t'i kushtohet verbërisht vetëm të zgjedhurit të saj. Të zënë veshët çdo ditë "vetëm  një mund të duash, vetëm një duhet të duash"  ndryshe je një e keqe për moralistët dhe ne të gjorët kërkojmë shpëtim në gjuhë të huaja për ta shprehur këtë dashuri atyre përtej të vetmit, si një "Ti voglio tanto bene" etj. Uh ndjehemi të lehtësuar se mesazh marrësi nuk do na keqkuptojë, sytë thumbues do të drejtohen diku gjetke në misione të tjera...
Është kaq e vështirë të duash, të shprehësh dashurinë sot, madje edhe të kërkosh një përqafim, nga ato të mbushur plot jetë, nga ato që të bëjnë të ndalosh frymën vetëm për ta ndjerë, nga ato përqafime që ndalojnë edhe kohen në qenien tënde.
Të humbasësh dikë, një mik, një mike, të humbasësh dikë të shtrejtë sepse koha ja doli të hyjë në mes, është si një oqean që nuk mbushet, që nuk ngopet kurrë sado ujë të hedhësh në të, kalojnë kohra dhe kur je përballë tij/saj ndjehesh kokëulur, nuk dëshiron ta shohësh ndryshe nga cfarë ka qenë dhe ashtu është e pamundur, moralizmat bënë të veten, të duash është kaq e vështirë, kufizohemi dhe tërhiqemi  nga njerëzit që na duan, duhet të duam vetëm një, e nëse guxon të duash dikë tjetër do jesh një e çmendur që beson se dashuria është universale....
Në fakt është kaq e vështirë të duash edhe pse kjo botë për t'u shëruar nuk ka aq nevojë për kura, sa ka nevojë për dashuri...